As përpjekja e 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk solli rezultat. Seanca e sotme përfundoi sërish pa ndonjë vendim konkret, duke reflektuar thellimin e bllokadës politike që prej më shumë se katër muajsh po mban të paralizuar institucionin më të lartë ligjvënës të vendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu mbledhjen vetëm pas pak minutash, pasi kërkoi që regjia të ndërpresë fjalën e tre deputetëve: Ariana Musliu nga PDK, Besian Mustafa nga LDK dhe Time Kadrijaj nga AAK.
“Seanca mbyllet. Ftoj deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 9 korrik,” tha shkurt Dehari, ndërsa tensioni në sallë u ndie edhe përmes transmetimeve live.
Ngërçi vazhdon për shkak të mungesës së pajtueshmërisë midis Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe partive të tjera opozitare rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates së VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Partitë opozitare vazhdojnë të refuzojnë formatin aktual të procedurës, duke kërkuar dakordim politik paraprak ose ndryshim të metodës së votimit, ndërkohë që Vetëvendosje këmbëngul se votimi i fshehtë është i lejuar dhe i përcaktuar nga procedurat parlamentare.
Me këtë dështim të radhës, vendi futet edhe më thellë në krizë institucionale, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjeve të reja nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet në afatin e përcaktuar kushtetues.

