Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar pas dështimit të 43-të radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si një krizë që ka kaluar përtej kornizave juridike dhe procedurale, e që tashmë është shndërruar në një çështje morale dhe mungesë të vullnetit politik.
“Ju e dini që takimet tona kanë qenë publike edhe tani, nëse ndodhin ose në të ardhmen, ato do të bëhen publike. Po duket që nuk është më as procedurale, as juridike, por është më shumë morale,” u shpreh Izmaku para mediave.
Sipas saj, lidershipi i partive të mëdha politike nuk po tregon asnjë angazhim serioz për të tejkaluar ngërçin që ka paralizuar funksionimin e Kuvendit që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ka mungesë totale të vullnetit politik të lidershipit të krejt partive të mëdha politike për të gjetur një zgjidhje. Nisma ka qenë dhe mbetet për ndërtimin e një mazhorance përmes marrëveshjes politike,” tha deputetja.
Izmaku gjithashtu paralajmëroi për pasoja të mundshme juridike, duke kujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
“Edhe ju e dini që pasojat juridike kanë të bëjnë edhe me mandate, kështu që duhet pasur parasysh – secili duhet të veprojë,” përfundoi ajo.
Në mungesë të një marrëveshjeje politike dhe përballë afateve kushtetuese që po afrohen, vendi rrezikon të përballet me pasoja serioze institucionale, përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

