Kurti takon ambasadorin Rohde – diskutuan për konstituimin e Kuvendit dhe sundimin e ligjit

by engel

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ku në qendër të diskutimit ishin marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, me fokus të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike. Kryeministri Kurti nënvizoi rolin e Gjermanisë si partner strategjik dhe mbështetës i rëndësishëm i shtetndërtimit të Kosovës.

banner

Ambasadori Rohde shprehu interesimin e tij për çështjen e konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës si dhe për marrëveshjet ndërkombëtare që presin miratim. Në përgjigje, Kurti theksoi nevojën urgjente që procesi i konstituimit të Kuvendit të përmbyllet sa më parë me zgjedhjen e kryesisë, duke theksuar përkushtimin e tij dhe angazhimet e ndërmarra për tejkalimin e ngërçit politik. Ai përmendi takimet me liderët e partive parlamentare si dhe takimin e ftuar nga Presidentja e vendit, që pason aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë bisedës, Kurti adresoi edhe incidentin e fundjavës, kur Kuvendi i Kosovës u kërcënua me bombë. Sipas tij, hetimet kanë konfirmuar se thirrja kërcënuese ka ardhur nga një numër telefoni i regjistruar në Serbi, nën operatorin MTS, duke ngritur shqetësime për ndërhyrje të mundshme dhe destabilizim nga jashtë.

Në fund të takimit, kryeministri falënderoi ambasadorin Rohde për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe përkrahjen që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe konsolidimit ndërkombëtar.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy