Murati, Ramës: Të votojë LDK-ja konstituimin e Kuvendit, që pastaj të mundësohet edhe plotësimi i Ligjit të Buxhetit

by Nexhat

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili fajësoi Qeverinë për bllokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës.

Murati e ka quajtur të pavërtetë deklaratën e Ramës, duke thënë se përgjegjësia për mosmiratimin me kohë të buxhetit bie mbi vetë Komunën e Prishtinës.

banner

“Përparim Rama përsëri paska rrejtë kur ka akuzu Qeverinë si bllokuese të buxhetit të Komunës së Prishtinës,” shkroi Murati në një reagim publik.

Ai sqaroi se, sipas afateve ligjore, projekt-buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së largu deri më 30 shtator, në mënyrë që të përfshihet në Ligjin e Buxhetit, i cili pastaj i dërgohet Kuvendit nga Qeveria deri më 31 tetor.

“Sidoqoftë, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as më 30 shtator, e as më 31 tetor. Asambleja komunale e ka miratuar projekt-buxhetin vetëm më 9 dhjetor, pra shumë pas afateve ligjore,” theksoi Murati.

Ai shtoi se për shkak të kësaj vonese, përfshirja e buxhetit të Prishtinës në Ligjin e Buxhetit kërkon ndërhyrje me ndryshim apo plotësim ligjor – proces që aktualisht është i pamundur për shkak të bllokimit të Kuvendit nga opozita.

“Vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë së re, mund të procedohet me ndryshimin e Ligjit të Buxhetit për të përfshirë buxhetin e Prishtinës,” shtoi ministri në detyrë.

Murati i bëri thirrje Ramës që në vend të akuzave, t’i kërkojë partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të ndihmojë në konstituimin e Kuvendit dhe në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.

“Sa plason akuza të pavërteta, Përparim Rama e ka shumë më të lehtë që t’i kërkojë partisë së tij, LDK-së, që të kryejë obligimin kushtetues e të votojë për konstituim të Kuvendit,” përfundoi Murati

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy