Edhe këtë të martë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka vijuar ndërhyrjet për largimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në një nga zonat më piktoreske të veriut të vendit.
Aktualisht, aksioni po përqendrohet në zonën e njohur si “Fshati Turistik”, në afërsi të kishës karakteristike të Thethit, ku janë në proces pastrimi strukturat e ngritura pa leje. Deri më tani, IKMT dhe Policia e Shtetit kanë identifikuar mbi 40 subjekte që do të përfshihen në këtë fushatë shembjesh.
Operacioni nisi ditën e hënë si pjesë e një aksioni të përbashkët mes IKMT-së dhe Policisë së Shtetit, pas denoncimeve të shumta, përfshirë ato të bëra nga vetë kryeministri, mbi ndërtimet abuzive që cenonin integritetin e zonës së mbrojtur.
Në lidhje me këtë çështje, kryeministri ka drejtuar kritika të forta ndaj një prokuroreje në Shkodër, e cila sipas tij ka dështuar të veprojë pas referimeve ligjore të ardhura nga Policia e Shtetit. Kryeministri ka kërkuar marrjen e masave përkatëse ndaj saj.
Thethi, si pjesë e Alpeve Shqiptare, është një prej destinacioneve më të kërkuara turistike, dhe autoritetet e shohin këtë ndërhyrje si domosdoshmëri për të mbrojtur autenticitetin dhe trashëgiminë natyrore të zonës.