Në një shtet normal, një telefonatë anonime që paralajmëron një bombë në parlament do të trajtohej me seriozitet, por edhe me profesionalizëm. Në Kosovë, ajo telefonatë u kthye në teatër absurd, ku deputetët ikën nga Kuvendi si kikerza, e gjithë struktura e sigurisë u hallakat si në komedi të zezë, dhe Ministri i dorëhequr Xhelal Sveçla… thjesht heshti. Ose më saktë, doli me një reagim qesharak që nuk i bindi as ata që zakonisht bindën lehtë.
Gazetari hulumtues Lirim Mehmetaj nuk kurseu kritikat: sipas tij, Sveçla duhet të mbajë përgjegjësi për këtë menaxhim qesharak të një situate që e turpëroi institucionin më të lartë të vendit. Dhe me të drejtë. Nëse Kuvendi i Kosovës—objekti që duhet të jetë i mbrojtur si syri i ballit—mund të evakuohet nga një cingërimë telefoni në Serbi, atëherë qartazi e kemi mbrojtjen institucionale në nivelin e “telefonit të lodrave”.
Paramendoni: një adoleshent serb me akses në numrin e Kuvendit mund ta lëshojë Kosovën në kaos. Shumë lehtë, shumë lirë. Me një SIM kartë dhe pak imagjinatë.
Ministri Sveçla, që dikur premtonte arrestime “brenda orësh” për rastin Faton Hajrizi, sërish zhgënjeu – në kuptimin që as këtë herë nuk bëri asgjë. Nuk pati analizë, nuk pati hetim serioz, nuk pati përgjegjësi. Ishte thjesht një “incident”, që për pak nuk na la pa shtet për disa orë.
Në vend se të përballej me të vërtetën, Sveçla zgjodhi heshtjen strategjike të “ministrit në ikje”, duke e lënë pas vetes një precedent të frikshëm: në Kosovë, mjafton një telefonatë anonime për të shpërndarë institucionet si karamele në shi.
Dhe pyetja që shtrohet sot është: A do të mbajë kush përgjegjësi?
Përgjigjja e zakonshme: Jo, more vlla! Na veç improvizojmë shtet.
Në vend të reagimit të një shteti serioz, ne po shkojmë drejt një formule të re të sigurisë kombëtare:
“Kujdes, mos i bini telefonit të Kuvendit se na rrëzoni shtetin!”
Na fëlliqët, për besë, përfundon Mehmetaj!