Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e cilësuar atë si një veprim tërësisht politik dhe kundër interesave të komunitetit serb.
Në një deklaratë për mediat serbe, Petkoviq tha se “asnjë serb në Kosovë, e sidomos në Mitrovicën e Veriut, nuk e mbështet këtë vendim të Albin Kurtit”. Sipas tij, që nga dje një numër i madh qytetarësh serbë kanë filluar të nënshkruajnë një peticion kundër ndërtimit të urave, ndërkohë që puna për ndërtimin e njërës prej tyre tashmë ka nisur në terren.
Petkoviq pretendon se vendimi për ndërtimin e urave është i motivuar politikisht dhe se nuk ekzistojnë arsye ekonomike për këtë projekt.
“Sipas të gjitha gjasave, qëllimi kryesor i Kurtit është të ushtrojë presion mbi komunitetin serb dhe të përshpejtojë shpërnguljen e tyre nga veriu i Kosovës. Gjithashtu, ky projekt lidhet me fushatën e tij për zgjedhjet lokale të paralajmëruara në tetor, si dhe për të fshehur krizën institucionale me të cilën përballet në Prishtinë,” deklaroi Petkoviq.
Ai rikujtoi se që nga viti 1999, mbi 200 incidente janë regjistruar në urën kryesore të Ibrit, duke lënë të kuptohet se hapja e urave të reja do të përkeqësonte më tej sigurinë në zonë.
Drejtori i Zyrës për Kosovë gjithashtu njoftoi se peticioni kundër këtij vendimi do t’u dërgohet të gjitha adresave relevante të bashkësisë ndërkombëtare – shteteve të Quint-it, Bashkimit Evropian, misioneve ndërkombëtare në Kosovë si UNMIK, OSBE, EULEX dhe veçanërisht misionit të KFOR-it.
“Presim që KFOR-i të mbajë një qëndrim të arsyeshëm dhe të mos lejojë që Kurti të realizojë këtë plan të rrezikshëm,” përfundoi Petkoviq.