Reperi i njohur shqiptar, Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, është arrestuar të shtunën në aeroportin e Zyrihut, në momentin e mbërritjes së tij në Zvicër ku kishte planifikuar të promovonte albumin e tij më të ri. Lajmi është konfirmuar nga mediat zvicerane, të cilat raportojnë se arrestimi lidhet me një konflikt të mëparshëm të ndodhur në Kosovë.
Sipas burimeve mediatike, çështja ligjore ndaj Noizyt ka buruar nga një incident fizik me reperin Meda, i cili ishte denoncuar më parë pranë autoriteteve zvicerane. Thuhet se Noizy nuk ishte në dijeni se kjo çështje ishte përshkallëzuar në nivel ndërkombëtar, duke rezultuar në ndalimin e tij sapo mbërriti në territorin helvetik.
Avokati zviceran André Kuhn, në një intervistë për “Prive”, shpjegoi dimensionet ligjore të rastit. Ai theksoi:
“Nëse viktima është sulmuar nga disa persona njëkohësisht, një akt i tillë mund të sanksionohet në Zvicër me një gjobë apo burgim deri në pesë vjet. Gjithçka varet nga rrethanat dhe historiku penal i të dyshuarit.”
Në rast se Kosova ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për Noizyn, atëherë autoritetet zvicerane mund të shqyrtojnë ekstradimin. Nëse kjo nuk ndodh, neni 7 i Kodit Penal Zviceran parashikon mundësinë që ai të gjykohet në Zvicër për vepra të kryera jashtë vendit.
Arrestimi në Zvicër përbën një goditje serioze për karrierën ndërkombëtare të Noizyt. Koncertet dhe bashkëpunimet e planifikuara në këtë vend – dikur një ndër tregjet më të qëndrueshme për artistin – tashmë janë në pikëpyetje. Nëse ndjekja penale çon në dënim, pasojat mund të ndikojnë thellësisht në imazhin dhe lirinë e lëvizjes së reperit në hapësirën Shengen.