Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në liqenin e Shkodrës, ku një kapiten anijeje ka humbur jetën teksa përpiqej të shpëtonte dy turistë që kishin rënë aksidentalisht në ujë.
Sipas informacioneve paraprake, 51-vjeçari, kapiten i një anijeje turistike, është mbytur gjatë përpjekjeve për të shpëtuar turistët, të cilët kanë mundur të nxirren nga uji dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe njësitë e kërkim-shpëtimit, të cilat janë duke vijuar kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërkohë që autoritetet kanë nisur edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe personelit të përfshirë në udhëtimin turistik.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në zonën e liqenit, ku gjatë sezonit veror zhvillohen aktivitete të shumta turistike. Autoritetet kanë bërë apel për kujdes të shtuar dhe respektim të masave të sigurisë gjatë lundrimeve në ujë.