Nga sezoni 2025/26, UEFA do të zbatojë rregulla të reja për fazën me eliminim direkt në tri kompeticionet kryesore evropiane: Champions League, Europa League dhe Conference League.
Këto ndryshime janë të lidhura me renditjen e skuadrave në fazën e kampionatit (të njohur më parë si faza e grupeve), e cila është reformuar prej sezonit 2024/25 me formatin e ri të ligës së vetme.
Deri në këtë sezon, pozicioni në fazën e kampionatit përcaktonte çiftet për 1/8 e finales, por më pas ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale vareshin nga shorti, përfshirë se kush luante ndeshjen e kthimit në shtëpi.
Nga sezoni 2025/26, kjo praktikë ndryshon:
Skuadrat që renditen nga vendi i 1-rë deri në të 4-tin do të kenë avantazhin të luajnë ndeshjen e kthimit të çerekfinales në shtëpi.
Dy skuadrat më të mira (1-shi dhe 2-shi) do të kenë gjithashtu ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales në fushën e tyre.
Ky ndryshim vjen si përgjigje ndaj situatave të mëparshme si ajo e Interit, që sezonin e kaluar luajti kthimin e gjysmëfinales në shtëpi, ndonëse ishte renditur më poshtë se Barcelona në fazën e parë.
Ndryshon edhe sistemi i “seeding” (vendosja në vazo)
Një tjetër risi e rëndësishme ka të bëjë me trashëgiminë e vendosjes në tabelë: nëse një skuadër me “seed” të lartë (si p.sh. vendi i parë) eliminohet, skuadra që e mposht trashëgon vendin e saj në shortin e mëtejshëm.
Kjo do të thotë se, për shembull, nëse PSG eliminon Liverpoolin (që ka përfunduar në vendin e parë në fazën kampionat), atëherë PSG do të marrë pozicionin si “seed 1” për fazat në vazhdim.
Tabela nuk do të riformulohet pas çdo turi, duke ruajtur avantazhin fillestar edhe në rast të befasive.
Këto ndryshime synojnë të rrisin rëndësinë e fazës së parë të kompeticioneve dhe të shpërblejnë më shumë skuadrat që performojnë më mirë që në fillim.