Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në jug të Francës, fillimisht në zonën e Pennes-Mirabeau, por ka arritur me shpejtësi Marsejën në orët e para të pasdites. Deputeti lokal, Hervé Menchon, deklaroi se “Porti i Vjetër dhe Notre-Dame de la Garde janë të mbuluar nga tymi i zjarrit”.
Pasojat në qytetin e madh bregdetar janë tashmë të dukshme dhe rrezikojnë të bëhen katastrofike. Në Spitalin Verior të Marsejës, që ndodhet në periferi, është raportuar një ndërprerje totale e energjisë elektrike. Aktualisht, spitali funksionon me gjenerator rezervë, por sipas autoriteteve, ai ka një autonomi vetëm për tre ditë.
Linjat elektrike janë dëmtuar nga flakët dhe nuk dihet se kur do të mund të rikthehet energjia.
Deri tani janë djegur 350 hektarë pyje pranë qytetit, ndërsa flakët tashmë kanë rrethuar periferinë. Audrey Jolibois, sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Spitaleve Publike të Marsejës, paralajmëroi për një tjetër problem serioz: pamundësinë për të ndërruar turnin e stafit, pasi punonjësit që duhet të hyjnë në detyrë këtë mbrëmje mund të mos arrijnë dot në spital. “Drejtoria i ka kërkuar kolegëve që të presin aty ku janë derisa të gjendet një zgjidhje”, u shpreh ajo.
Transporti publik është paralizuar: shërbimet hekurudhore nga dhe drejt Marsejës, në drejtim të veriut dhe perëndimit, janë pezulluar për shkak të një zjarri pranë binarëve në zonën e L’Estaque. Punonjësit janë evakuuar dhe pasagjerëve u është kërkuar të shtyjnë udhëtimet dhe të mos shkojnë në stacion. Disa trena nuk janë anuluar, por pritet të kenë vonesa të mëdha.
Edhe trafiku ajror është ndalur. Aeroporti është mbyllur përkohësisht dhe fluturimet janë pezulluar për shkak të rrezikut që flakët të prekin terminalin.
Në terren janë angazhuar 168 zjarrfikës, 2 helikopterë dhe 68 automjete zjarrfikëse, që po punojnë për të përballuar situatën kritike.