Suedia dhe Gjermania kanë siguruar kualifikimin për fazën me eliminim direkt në Kampionatin Evropian për femra Euro 2025, falë fitoreve bindëse ndaj Polonisë dhe Danimarkës.
Suedia e ka mposhtur Poloninë me rezultat të pastër 3-0. Suedezet kanë qenë dominuese gjatë gjithë sfidës. Pas disa rasteve të humbura, kanë qenë Stina Blackstenius dhe Kosovare Asllani që e kanë vendosur fatin e takimit, fillimisht Blackstenius ka shënuar me kokë pas një krosimi të saktë nga Asllani, ndërsa në pjesën e dytë, vetë Asllani ka realizuar për të dyfishuar epërsinë. Golin e tretë e ka shënouar zëvendësuesja Lina Hurtig në minutat e fundit të ndeshjes. Me këtë fitore, Suedia kualifikohet në fazën tjetër, ndërsa Polonia rrezikon ta përfundojë debutimin e saj pa asnjë pikë të grumbulluar.
Ndërkohë, Gjermania e ka përmbysur disavantazhin dhe e ka mposhtur Danimarkën me rezultat 2-1, duke u dhënë fund shpresave të nordikeve për kualifikim. Danimarka ka kaluar në epërsi me një gol të Amalie Vangsgaard, por Gjermania është rikthyer në pjesën e dytë. Sjoeke Nusken e ka barazuar rezultatin nga penalltia, ndërsa Lea Schuller e ka vulosur fitoren me një përfundim të ftohtë pas asistimit të Jule Brand. Pavarësisht mungesës së kapitenes Giulia Gwinn për shkak të lëndimit, Gjermania ka treguar karakter dhe përvojë për të siguruar fitoren e dytë radhazi.
Pas këtyre rezultateve, Suedia dhe Gjermania tashmë janë të kualifikuara, ndërsa ndeshja e radhës mes tyre do të vendosë se kush do ta përfundojë grupin në vendin e parë. Polonia dhe Danimarka kanë përfunduar rrugëtimin e tyre.

