Miliarderi i teknologjisë dhe njëkohësisht figura gjithnjë e më aktive në skenën politike amerikane, Elon Musk, ka ndezur sërish debatet me një deklaratë tronditëse në rrjetet sociale. Këtë herë, shënjestra e tij është Steve Bannon, ish-këshilltari i lartë i Donald Trump dhe një prej arkitektëve kryesorë të fushatës presidenciale të tij në vitin 2016.
Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Musk shkroi shkurtimisht: “Bannon është në dosjet e Epstein.” Komenti i tij ishte një përgjigje ndaj një tjetër figure të njohur të së djathtës amerikane, Roger Stone, i cili ngriti pyetje publike mbi takimet e dyshuara të Bannon me Jeffrey Epstein – trafikantin famëkeq të mitur, i dënuar për krime seksuale.
“Pse do të takohej Bannon me Jeffrey Epstein si në shtëpinë e tij në Nju Jork ashtu edhe në Paris, pasi Epstein u dënua për krime seksuale në Florida?”, shkroi Stone, duke shtuar: “Pse do ta stërviste Epstein për paraqitjen e tij 60-minutëshe?”
Deklarata e Musk vjen në vazhdën e distancimit të tij të hapur nga Donald Trump dhe lëvizja MAGA. Vetëm pak javë më parë, ai akuzoi edhe vetë ish-presidentin se ndodhet në dosjet e Epstein. “Koha për të hedhur bombën vërtet të madhe: (Trump) është në dosjet e Epstein. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike. Kalofsh një ditë të mbarë, DJT!”, shkroi Musk në fillim të qershorit.
Ky është një tjetër episod në përplasjen gjithnjë e më të ashpër mes Musk dhe elitës republikane, ndërsa ai vazhdon të përdorë platformën e tij për të ndikuar debatin publik dhe për të sfiduar figura kyçe të spektrit konservator amerikan.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Steve Bannon lidhur me deklaratat e fundit të Elon Musk. Situata pritet të tensionohet edhe më tej, ndërsa çështja Epstein vazhdon të mbetet një plagë e hapur në politikën dhe shoqërinë amerikane.
