Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu.
Më herët gjatë ditës ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët u paraqitën në mëngjes para trupit gjykues në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Lipjan.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku Agon Zejnullahu ndërroi jetë me pranga në duar. Sipas raportimeve të Policisë, zyrtarët ishin thirrur për të ndërhyrë pasi Zejnullahu dyshohej se ndodhej nën ndikimin e alkoolit dhe po sulmonte automjete dhe kalimtarë të rastit.
Në lidhje me këtë rast, një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë u arrestuan të hënën nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Arrestimi u bë pas vlerësimit fillestar se rasti përbënte vepër penale të “vrasjes nga pakujdesia”.
Hetimet për rastin vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Portali do të përcjellë zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje.