Instituti për Mjekësi Ligjore (IML) ka njoftuar se Laboratori i Toksikologjisë është aktualisht jashtë funksionit për shkak të renovimeve të brendshme në objektin e institucionit. Sipas njoftimit zyrtar, renovimi përfshin të gjitha hapësirat e brendshme, përfshirë edhe laboratorët, ndërsa funksionalizimi pritet të ndodhë pas përfundimit të punimeve në muajin shtator.
“Pas përfundimit të renovimit në muajin shtator, do të bëhet servisimi dhe kalibrimi i pajisjeve dhe aparaturave laboratorike, në mënyrë që të sigurohet analizimi i mostrave sipas standardeve të kërkuara”, thuhet në njoftimin e IML-së.
Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të pajisjeve laboratorike dhe kompleksitetit teknik të sistemit të gazrave që përdoret në këtë laborator, zhvendosja e tyre në një hapësirë tjetër gjatë renovimeve është konsideruar e pamundur.
Në ndërkohë, për të mos ndikuar në proceset hetimore, me urdhëresë të prokurorëve kompetentë, një numër i mostrave janë dërguar dhe do të vazhdojnë të dërgohen për analizë toksikologjike në vendet e rajonit dhe Evropës.
IML siguron opinionin publik dhe palët e përfshira se të gjitha mostrat do të trajtohen me kujdes të veçantë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe kalimtare.
Njoftimi zyrtar: