Megjithëse të gjitha gjasat janë që Lionel Messi do të vazhdojë kontratën me Inter Miami, Arabia Saudite po qëndron në pritje. Fondi sovran i investimeve të Arabisë Saudite (PIF) ka përgatitur një ofertë marramendëse për të joshur yllin argjentinas drejt Ligës Pro Saudite nëse bisedimet me klubin amerikan dështojnë.
Janë bërë gati dy vite që kur Inter Miami fitoi betejën më të bujshme të transferimeve të kohëve të fundit, duke siguruar shërbimet e Messit përballë interesimit të fuqishëm nga klubet saudite. Por ndërsa 2025 po ecën, megjithëse zhurma është më e zbutur këtë herë, Arabia Saudite nuk ka hequr dorë.
Sipas burimeve të CBS Sports, PIF tashmë ka rifilluar përgatitjet për një tjetër tentativë për transferimin e Lionel Messit. Nëse kontrata me Inter Miami nuk rinovohet, Arabia Saudite është e gatshme të ofrojë marrëveshjen më të shtrenjtë në historinë e sportit.
Në rast të negociatave formale, Messi do të kishte mundësinë të zgjedhë klubin e tij të preferuar mes katër skuadrave kryesore të kontrolluara nga PIF: Al-Hilal, Al-Nassr, Al-Ittihad dhe Al-Ahli. Edhe klubi i ri Neom SC, që mbështetet nga fondi saudit dhe është pjesë e projektit futuristik NEOM, do të ishte në dispozicion.
Nëse dëshiron të luajë përkrah Kante dhe Benzema, atëherë Al-Ittihad është opsioni. Nëse preferon një rikthim të rivalitetit me Cristiano Ronaldon, Al-Nassr do ta mirëpresë me krahë hapur. Ndërkohë, Al-Hilal vazhdon të shpresojë për një “El Clasico” të ri në derbin e Riadit.
Megjithatë, këtë herë strategjia saudite është më e kujdesshme. Kujtojmë se në verën e vitit 2023, PIF ishte aq i sigurt për transferimin e Messit, sa që kishte përgatitur avionë privatë për ta sjellë atë dhe babanë e tij në Riad. Por Messi zgjodhi Majamin.
Përkundër kësaj, interesimi nga Arabia Saudite nuk është zbehur. Vetë Messi, në një intervistë për Time Magazine në mars të këtij viti, kishte pranuar se kishte menduar seriozisht për një kalim në Ligën Pro Saudite. Ai e vlerësoi ligën si një kompeticion që po rritet dhe shprehu simpati për përpjekjet që po bëhen për ta shndërruar atë në një kampionat të nivelit të lartë.
Për momentin, rinovimi me Inter Miami mbetet skenari më i mundshëm. Por deri sa të vendoset përfundimisht fati i yllit argjentinas, Arabia Saudite mbetet në pritje – dhe me ofertën gati.