Gjykata e Madridit ka dënuar të mërkurën trajnerin aktual të përfaqësueses së Brazilit, Carlo Ancelotti, me një vit burg për mashtrim tatimor të kryer gjatë kohës kur ishte në krye të Real Madridit, në vitin 2014.
Përveç dënimit me burg, Ancelotti është gjobitur edhe me shumën prej 386,000 eurosh (rreth 452,000 dollarë), si pjesë e vendimit të gjykatës spanjolle, që e gjeti fajtor për fshehje të të ardhurave përmes kompanive fiktive.
Prokurorët spanjollë kishin ngritur akuza ndaj Ancelottit për mashtrim të shtetit me rreth 1 milion euro gjatë viteve 2014 dhe 2015, duke kërkuar një dënim deri në katër vjet e nëntë muaj burg për dy raste të veçanta të evazionit fiskal.
Në aktakuzë, e ngritur në mars 2024, prokuroria shtetërore e akuzoi trajnerin italian se kishte përdorur struktura të rreme financiare për të shmangur pagesën e taksave mbi të ardhurat që rridhnin nga të drejtat e imazhit dhe burime të tjera komerciale.
Megjithëse është dënuar me burg, Ancelotti pritet të mos qëndrojë fizikisht në qeli, pasi sipas ligjeve spanjolle, dënimet nën dy vjet për personat pa precedentë penalë zakonisht pezullohen.
Ancelotti është figura më e fundit nga bota e futbollit që përballet me pasoja ligjore në Spanjë për mosdeklarimin e saktë të të ardhurave. Raste të ngjashme kanë përfshirë më herët edhe emra të mëdhenj si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Jose Mourinho.