Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, është shprehur optimiste për arritjen e një marrëveshjeje politike që do të mundësojë krijimin e institucioneve të reja në Kosovë përpara përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuta.
Në një intervistë për emisionin “Click” në RTV21, Izmaku deklaroi se është e bindur se do të ketë lëvizje pozitive dhe kompromise të dyanshme mes partive politike, të cilat do të çojnë drejt formimit të shumicës parlamentare dhe konstituimit të Kuvendit.
“Unë besoj që nuk do të vijmë deri në momentin e skadimit të afatit. Do të kemi qeveri më herët. Ka për të pasur lëvizje pozitive më shpejt se sa pritet. Do të ketë kompromise nga të dyja anët dhe do të arrihet një zgjidhje,” u shpreh Izmaku.
Ajo shtoi se, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti nuk po e shmangin përgjegjësinë për krijimin e institucioneve dhe se ekziston një klimë që favorizon marrëveshjen.
“Po flas në bazë të ambientit politik – nuk shoh që Kurti dhe Vetëvendosje po hezitojnë të marrin përgjegjësinë për të krijuar institucionet,” shtoi ajo.
Deklaratat e Izmakut tingëllojnë optimiste por këndvështrimi publik nuk po shihet asnjë shenjë se partitë politike të kenë filluar aktivitete për të arritur ndonjë marrëveshje për formimin e shumicës pas zgjedhjeve, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë po shkon drejt fundit.