Mbrëmë rreth orës 20:30, në lagjen e Spitalit në Prishtinë, ka ndodhur një incident serioz ku një person ka rënë nga lartësia e një ndërtese.
Sipas informacioneve të para nga vendi i ngjarjes, bëhet e ditur se personi në fjalë ishte i kërkuar me urdhër-arrest vendor dhe ndërkombëtar për veprën penale “vrasje e rëndë”. Ai dyshohet se gjatë përpjekjes për t’iu shmangur arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, ka rënë nga një lartësi, duke pësuar lëndime trupore.
Menjëherë pas incidentit, atij i është ofruar ndihma e parë mjekësore në vendin e ngjarjes, për t’u transferuar më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, ka nisur hetimet dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.