Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me Zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau. Takimi është zhvilluar në Washington D.C. dhe është vlerësuar si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, Presidentja Osmani ka falënderuar Zv. Sekretarin Landau për mikpritjen dhe diskutimin e hapur, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për të avancuar bashkëpunimin dypalësh.
“Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë dhe diskutimin e hapur në Washington D.C., Zv. Sekretar i Shtetit, Christopher Landau! 🇽🇰🇺🇸
Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump.
Më shumë siguri.
Më shumë zhvillim.
Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona,” – ka deklaruar Presidentja Osmani.
Ky takim nënvizon vazhdimësinë e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe përkushtimin e institucioneve kosovare në forcimin e partneritetit me SHBA-në, veçanërisht në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe zhvillimit demokratik.