Pak para nisjes së seancës së 45-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, shoqëria civile ka ndërmarrë sërish një aksion simbolik në rrugët e kryeqytetit, duke protestuar kundër bllokadës institucionale që po zvarrit krijimin e institucioneve të reja.
Në rrugë janë vendosur fletushka me mbishkrime të qarta dhe ironike si: “Konkurs për deputetë të rinj” dhe “Po i mbani peng 882 milionë euro të Planit të Rritjes të BE-së”, me qëllim të nxitjes së reflektimit dhe përgjegjësisë nga ana e përfaqësuesve politikë.
Ky aksion i organizuar nga aktivistët synon të theksojë pasojat konkrete të mosfunksionimit të Kuvendit – nga pamundësia për të miratuar ligje e vendime të rëndësishme, deri te bllokimi i fondeve të Bashkimit Evropian që janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit.
Protestuesit, përmes këtij aksioni paqësor e kreativ, u kanë kujtuar deputetëve përgjegjësinë që kanë ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit.