Policia e Kosovës, përmes stacionit policor në Ferizaj, njofton se ka pranuar një informatë nga zyrtarë doganorë se në një rimorkio kamioni me targa vendore, e ndodhur në Terminalin Doganor në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, dyshohej për prani të emigrantëve të paligjshëm.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë reaguese dhe Njësia e Hetimeve të stacionit policor në Ferizaj kanë dalë në vendngjarje për të verifikuar rastin. Pas kontrollit të realizuar në rimorkio dhe hapjes së saj, janë gjetur pesë persona të dyshuar si emigrantë të paligjshëm. Tre prej tyre janë të moshës 17-vjeçare, një është 18 vjeç dhe një tjetër 28 vjeç. Asnjëri prej tyre nuk posedonte dokumentacion identifikues.
Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kujdestar dhe njësia për migrim, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë në trajtim të mëtejshëm personat e dyshuar, si dhe drejtuesin e kamionit, shtetasin kosovar B.B., i moshës 38 vjeç.
Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në parandalimin dhe trajtimin e të gjitha veprave që lidhen me migrimin e paligjshëm, në bashkëpunim me institucionet relevante.