Policia e Kosovës, përmes stacionit policor në Ferizaj, njofton se në kuadër të zbatimit të Planit Operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”, më datë 11 korrik 2025, ka realizuar një aksion në terren me qëllim parandalimin dhe luftimin e prerjes dhe transportit të paligjshëm të drunjve.
Gjatë këtij aksioni, njësitet policore kanë ndaluar pesë automjete që transportonin materiale drusore – një kamionetë dhe katër furgona – të gjitha me targa vendore. Pas kontrollit është konstatuar se drejtuesit e këtyre automjeteve po transportonin lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës.
Aksioni është realizuar në bazë të informacioneve operative, ndërsa automjetet dhe materiali drusor janë sekuestruar nga zyrtarët e pylltarisë për procedura të mëtejme ligjore.
Policia Rajonale e Ferizajt riafirmon përkushtimin e saj në mbrojtjen e pasurive natyrore dhe në luftimin e aktiviteteve të paligjshme në këtë fushë. Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, duke raportuar çdo veprim të dyshimtë përmes linjave emergjente ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.