Driton Krasniqi, qytetari nga Klina që në fund të muajit qershor u bë subjekt i një rrahjeje të dokumentuar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës në oborrin e shtëpisë së tij, është urdhëruar të vuajë një dënim me burgim prej gjashtë muajsh. Sipas një komunikate për media të lëshuar nga avokati i tij, Alban Krasniqi, ky dënim bazohet në një aktgjykim të datës 16 prill 2025, për të cilin klienti i tij pohon se nuk ka qenë i njoftuar.
Sipas avokatit Krasniqi, ky zhvillim ka ngritur dyshime të arsyeshme nëse urdhri për vuajtje të dënimit është i ndërlidhur me denoncimin publik për dhunën policore të pësuar më 28 qershor 2025 – rast për të cilin është hapur hetim nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
“Z. Driton Krasniqi nuk ka pasur dijeni për këtë aktgjykim dhe nuk i është bërë e qartë për çfarë vepre është dënuar. Ka shqetësime serioze për rregullsinë e procedurës penale që ka rezultuar me këtë vendim,” thuhet në deklaratën e avokatit.
Avokati Alban Krasniqi ka theksuar se ka ndërmarrë katër veprime konkrete ligjore për mbrojtjen e të drejtave të klientit të tij:
Ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe psikologjike të Krasniqit.