Ministrja Gërvalla takon Sekretarin e Përgjithshëm të GCC-së, Jasem Mohamed Albudaiwi – Diskutohet thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar

by engel

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, ka realizuar një takim zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit (GCC), z. Jasem Mohamed Albudaiwi, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit të Gjirit.

Gjatë takimit, të dy palët u dakorduan për rëndësinë e krijimit të një kornize të qëndrueshme komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe GCC-së, me qëllim forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe shfrytëzimin e mundësive të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë si ekonomia, energjia, arsimi dhe teknologjia.

banner

Ministrja Gërvalla theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në zgjerimin e pranisë së saj në skenën ndërkombëtare dhe vlerësoi GCC-në si një partner me rëndësi strategjike për vendin. Ajo prezantoi një sërë nismash dhe projekteve konkrete që mund të zhvillohen me përkrahjen dhe pjesëmarrjen e vendeve anëtare të GCC-së.

“Ky takim ishte një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një dialogu të qëndrueshëm me GCC-në. Vlerësoj lartë mikpritjen dhe gatishmërinë e Sekretarit Albudaiwi për bashkëpunim konstruktiv,” deklaroi Gërvalla, duke shtuar se Kosova synon të zhvillojë marrëdhënie të afërta me vendet e Gjirit në të gjitha nivelet.

Sekretari i Përgjithshëm, z. Albudaiwi, shprehu interesin e tij për të thelluar komunikimin dhe për të shqyrtuar rrugët konkrete për bashkëpunim në të ardhmen, duke vlerësuar Kosovën si një vend me potencial për zhvillim të mëtejshëm të lidhjeve diplomatike dhe ekonomike me vendet e GCC-së.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke krijuar bazën për hapa të mëtejshëm në ndërtimin e marrëdhënieve afatgjata dhe të strukturuara ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy