Më 2 korrik 1990, mbi 5 mijë shqiptarë sfiduan një nga regjimet më të egra të Europës Lindore, duke hyrë në ambasadat perëndimore në Tiranë në kërkim të lirisë.
Rreth 3.199 prej tyre u strehuan në ambasadën e Gjermanisë, e cila u kthye në simbol të shpresës dhe rebelimit ndaj frikës.
Në qendër të asaj ngjarjeje që hyri në histori, ishte ambasadori gjerman Werner Daum, një diplomat që zgjodhi të veprojë ndryshe nga udhëzimet zyrtare.
Në një intervistë të gjatë dhe të ndjerë, ambasadori kujton se si mori vendimin të linte derën e ambasadës gjermane pak të hapur, pasi ndjente se populli shqiptar ishte në prag të shpërthimit kundër një regjimi të kalbur dhe mizor.
Ai pa me sytë e tij ndryshimin që po ndodhte në mendjet dhe zemrat e njerëzve, sidomos të rinjve.
Pa autorizim nga Berlini, Daum mbrojti të strehuarit në ambasadë dhe organizoi transportin e tyre drejt Gjermanisë, duke sfiduar njëherësh një shtet që ende përpiqej të ruante kontrollin me dhunë.
“E dija se ishim në rrezik të madh. Ushtria shqiptare donte të sulmonte ambasadat. Por e ndjeja gjithashtu që kishte ardhur momenti – dhe ajo derë e hapur ishte shkëndija”, tha ai.
Në rrëfimin e tij, ish-ambasadori e përshkruan Shqipërinë e asaj kohe si një teatër absurd ku populli luante nën trysninë e frikës. Ai pranon se ndihma që ofroi nuk ishte vetëm humanitare, por edhe politike – një akt që besonte se do të ndihmonte në rënien e një regjimi që i ngjante më shumë një burgu gjigant.
Werner Daum shprehet se është krenar që ishte pjesë e atij momenti historik.
Ai mbetet një emër i respektuar në kujtesën kolektive të shqiptarëve – një mik që nuk harrohet.
Sot, Shqipëria ecën drejt Bashkimit Europian dhe, sipas tij, ëndrra e atyre mijëra njerëzve që hynë në ambasadë nuk ka qenë e kotë.
“Shqipëria është tashmë pjesë e botës së lirë. Dhe e ardhmja është në duart e brezit të ri”, u shpreh ai në Top Channel