Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim të prerë ndaj çdo ndërtimi të ngritur në kundërshtim me ligjin, duke theksuar se nuk do të ketë më asnjë lloj tolerance për ndërtime pa leje, veçanërisht ato që prekin zona të mbrojtura apo hapësira publike.
Në një deklaratë publike, kreu i qeverisë nënvizoi se strategjia e ndjekur prej vitesh për të ndërtuar sot me shpresën për legalizim nesër, ka përfunduar përfundimisht.
“Ta harrojë kushdo qoftë që do të legalizohet çfarëdo qoftë në shkelje të ligjit dhe pas afateve që ka ligji. Nuk do të ketë asnjë tolerancë. Çdo ngrehinë e ngritur jashtë kuadrit ligjor do të rrafshohet,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se ndëshkimi për shkelësit do të jetë konkret dhe i menjëhershëm. Sot pritet të bëhet konfiskimi i një ndërtese shumëkatëshe në Vlorë, që sipas qeverisë është në shkelje të lejes së ndërtimit.
“Ky proces synon të bashkojë dy gjëra: zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik. Nuk kemi më asnjë minutë për të humbur,” theksoi Kryeministri.
Rama bëri thirrje për angazhim të plotë të strukturave shtetërore dhe deputetëve, duke u kërkuar atyre që të jenë pranë komuniteteve dhe të mbrojnë interesin e qytetarëve të ndershëm.
“Të gjithë deputetët duhet të jenë në terren, në krah të shumicës dërrmuese të njerëzve që çdo ditë pengohen në jetën e tyre komunitare nga ata që kanë pushtuar hapësirat publike me arrogancë,” u shpreh ai.
Sipas Kryeministrit, Tirana mbetet zona më e ndjeshme për këtë fenomen, për shkak të ritmit të lartë të urbanizimit dhe kërkesës për banim.
Kjo deklaratë vjen në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për të finalizuar procesin e legalizimeve dhe për të rikthyer rendin urban në të gjithë vendin.