Policia e rajonit të Prizrenit ka ndërmarrë masa të ashpra ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit, duke shqiptuar afro 3 mijë gjoba në vetëm një javë, në kuadër të një aksioni të shtuar për sigurinë në rrugë.
Sipas raportimit të korrespondentit të emisionit “Ora 7” në Klan Kosova, Nuhi Salihu, gjatë periudhës nga 7 deri më 13 korrik, janë dhënë gjithsej 2,640 gjoba për kundërvajtje në trafik, në katër komuna të rajonit: Prizren, Suharekë, Dragash dhe Mamushë.
“Janë shqiptuar 2 mijë e 640 gjoba për kundërvajtje në trafik si rezultat i shkeljes së Ligjit për rregullat në trafikut, si dhe është shtuar prezenca e policisë në rrugët kryesore”, deklaroi Salihu.
Fushata e kontrollit dhe dënimeve është pjesë e përpjekjeve të Policisë së Kosovës për të rritur sigurinë rrugore, veçanërisht gjatë sezonit veror kur trafiku rëndohet ndjeshëm për shkak të mërgimtarëve dhe fluksit të turistëve.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë, dhe kanë kërkuar nga qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit për të shmangur ndëshkimet, por mbi të gjitha për të mbrojtur jetën e tyre dhe të tjerëve në rrugë.
Kjo qasje e rreptë e policisë vjen në një periudhë kur aksidentet në trafik kanë qenë në rritje në të gjithë vendin, duke ngritur shqetësime për nevojën e forcimit të disiplinës rrugore.