Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për mungesën e drejtësisë në rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Në një deklaratë për Ekonomia Online, Kadrijaj tha se, edhe pas gjashtë vjetësh në pushtet, Qeveria Kurti nuk ka arritur të zbardhë rastin, duke akuzuar madje për pengim të drejtësisë dhe zhdukje të provave.
“Isha dje në QKUK dhe rastësisht pashë fotografinë e Astrit Deharit me mbishkrimin ‘Duam drejtësi për Astritin’. Më erdhi shumë keq. Doja ta fotografoja, por ndjeva një keqardhje të thellë,” u shpreh Kadrijaj.
Ajo e quajti kryeministrin Kurti një “nomad” që, sipas saj, erdhi në pushtet përmes kauzave të rreme, pa kursyer jetët e qytetarëve.
“Ai ka ardhur në pushtet përmes kauzave, duke mos kursyer as jetën e Astrit Deharit dhe as të protestuesve të tjerë që e përkrahën. Kaluan gjashtë vjet qeverisje dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin. Jo vetëm që nuk e kanë zbardhur rastin, por kanë zhdukur edhe mostrat. E dogjën edhe IML-në për të fshehur të vërtetën,” tha ajo.
Sipas Kadrijajt, kjo është një qeveri që ka tradhtuar idealet me të cilat erdhi në pushtet dhe që, në vend të drejtësisë, ka instaluar mashtrimin.