Danimarka ka shprehur gatishmërinë për të financuar dërgimin e sistemeve raketore anti-ajrore Patriot në Ukrainë, duke iu bashkuar përpjekjeve ndërkombëtare për të forcuar mbrojtjen ajrore të këtij vendi, i cili vazhdon të përballet me agresionin rus.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi të martën në Bruksel se vendi i tij është i përgatitur të japë kontributin e vet financiar në këtë iniciativë, ndonëse nuk dha detaje të mëtejshme rreth shumës apo afateve.
“Pas disa hezitimeve nga SHBA-të, duket se ata kanë ardhur në anën e duhur dhe do të dërgojnë sistemet Patriot, nëse ato mund të financohen. Danimarka gjithashtu do të bëjë pjesën e saj këtu,” tha Rasmussen për gazetarët.
Ndërkohë, edhe Holanda ka shprehur mbështetje për nismën. Ministri i Jashtëm holandez, Kaspar Veldkamp, deklaroi të hënën se vendi i tij është i hapur për të përkrahur premtimin e presidentit amerikan Donald Trump për dërgimin e sistemeve Patriot në Ukrainë, dhe shpreson që edhe shtetet e tjera të ndjekin këtë shembull.
“Holanda tashmë po bën shumë, por do të shqyrtojmë se çfarë mund të bëjmë edhe në lidhje me njoftimet e Trump dhe do të vazhdojmë nga aty,” tha Veldkamp para takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
Sistemet Patriot konsiderohen si ndër më të avancuarat për mbrojtje kundërajrore dhe luajnë një rol të rëndësishëm në pengimin e sulmeve me raketa dhe dronë – një nevojë kritike për Ukrainën në kushtet aktuale të luftës.