Prishtinë, 15 Korrik 2025 – Në vazhdën e takimeve me liderët politikë në Kosovë, e dërguara e posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, është takuar edhe me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Temë qendrore e diskutimit ishte kriza aktuale institucionale në vend dhe domosdoshmëria për konsolidimin e institucioneve demokratike.
Takimi mes Haradinajt dhe diplomates britanike vjen vetëm pak ditë pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, zhvillim që ka thelluar ngërçin politik dhe ka nxitur shqetësime në rritje në komunitetin ndërkombëtar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj tha se diskutimi me Pierce u përqendrua në zhvillimet politike të ditëve të fundit, si dhe në përkushtimin e përbashkët për integrimin euroatlantik të Kosovës.
“Roli i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë jetik jo vetëm në lirinë e Kosovës, por edhe në zhvillimin e saj. Mbretëria e Bashkuar edhe sot vazhdon të jetë ndër faktorët kyç në paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit,” – shkruan Haradinaj.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në tejkalimin e krizës aktuale.
Karen Pierce, gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, është takuar edhe me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të spektrit politik kosovar, në përpjekje për të nxitur dialog politik dhe gjetjen e një zgjidhjeje për daljen nga bllokada institucionale.
Zhvillimet e fundit kanë sjellë në vëmendje nevojën për koordinim më të ngushtë mes forcave politike vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë për të garantuar stabilitetin demokratik dhe për të ruajtur perspektivën euroatlantike të vendit.