Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed Al Nahyan, mbërriti të mërkurën në mbrëmje në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, duke nisur kështu vizitën e tij zyrtare në Shqipëri. Në pritje të tij ishte kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi liderin e Emirateve si një “mik të vjetër e të shtrenjtë të popullit shqiptar”.
“Mirëmëngjes dhe me mbërritjen mbrëmë në Shqipëri të një miku të vjetër e të shtrenjtë të popullit shqiptar, këtej e andej bjeshkëve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale, duke shprehur ngrohtësi për këtë moment të rëndësishëm diplomatik.
Vizita e Presidentit Bin Zayed në Shqipëri pritet të përfshijë një sërë takimesh me krerët më të lartë të shtetit, përfshirë Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit. Në fokus të bisedimeve do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë për investime, si dhe nxitja e bashkëpunimit ekonomik, energjetik dhe strategjik midis dy vendeve.
Kjo është një ndër vizitat më të rëndësishme të një udhëheqësi të lartë nga Lindja e Mesme në Shqipëri dhe sinjalizon një fazë të re të marrëdhënieve shqiptaro-emiratase, të cilat vitet e fundit janë karakterizuar nga afrimi dhe interesat e përbashkëta në fusha të ndryshme.