Një operacion i ndjeshëm është duke u zhvilluar sot në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me asistimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Sipas burimeve të para jozyrtare, që i referohen informacioneve të brendshme, cak i operacionit dyshohet se është një zyrtar i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, i cili po hetohet për dyshime serioze për spiunazh dhe për rrjedhje të informacioneve të klasifikuara drejt shërbimeve sekrete të Serbisë.
Operacioni është pjesë e një hetimi më të gjerë të zhvilluar nga organet e sigurisë së vendit, që ka çuar në identifikimin e zyrtarit të dyshuar. Sipas të njëjtave burime, arrestimi i tij pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme.
Autoritetet ende nuk kanë dalë me një konfirmim zyrtar lidhur me detajet e operacionit, ndërsa lajmi ka ngjallur interes të madh publik për shkak të natyrës së rëndë të dyshimeve dhe ndjeshmërisë së pozitës që i dyshuari mban.