Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Sarandës paraditen e sotme, kur në lagjen nr. 4, pranë stadiumit të qytetit, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, duke shkaktuar panik në zonë.
Si pasojë e këtij incidenti, dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Bëhet fjalë për Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç, dhe Ernest Lamaj, 24 vjeç, të cilët janë transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Sarandës për ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, pritet që ata të transferohen me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Ngjarja ka shkaktuar panik mes qytetarëve dhe pushuesve që ndodheshin në zonë në momentin e të shtënave. Një dëshmitar okular për JOQ Albania deklaroi: “Plasi arma në Sarandë. Te rrethi i stadiumit, dy të plagosur rëndë. Para 15 minutash u terrorizuan njerëzit, kishte të huaj nëpër restorante e lokale.”
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje, duke rrethuar zonën dhe duke nisur hetimet paraprake për të identifikuar autorin apo autorët e mundshëm.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit:
“Sot, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 4, Sarandë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se janë plagosur me armë zjarri shtetasit G. H., 32 vjeç dhe E. L., 24 vjeç. Të plagosurit, pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, do të transportohen drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, vijon punën për identifikimin e autorit, zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.”
Autoritetet apelojnë për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion të vlefshëm lidhur me ngjarjen.