Hykmete Bajrami godet deputetët e VV-së: Po kryejnë vepra penale, duke uzurpuar pozitat qeveritare!

by engel

Ish-ministrja dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar me tone të ashpra përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se janë duke shkelur hapur ligjin dhe Kushtetutën, duke mbajtur në mënyrë të kundërligjshme funksione të dyfishta si ministra në dorëheqje dhe deputetë të certifikuar.

Në një sqarim publik, Bajrami theksoi se një numër deputetësh të VV-së janë duke kryer vepra penale, pasi po mbajnë pozitën e deputetit pa u shkëputur nga funksioni në ekzekutiv, gjë që është e ndaluar qartazi me ligj.

banner

“Nëse nuk je betuar dhe nuk voton në Parlament, nuk je deputet. Kushtetuta dhe Gjykata Supreme janë të qarta: askush nuk mund të jetë njëkohësisht ministër dhe deputet,” shkruan Bajrami.

Ajo kujton se sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, kushdo që zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti në Qeveri para certifikimit të rezultateve, përndryshe bie ndesh me ligjin. Për më tepër, Qeveria në dorëheqje, sipas saj, nuk ka të drejtë të miratojë as strategji dhe as koncept-dokumente, duke u thirrur në ndalesa të qarta ligjore që vetë pushteti aktual i ka miratuar më parë.

“Ata që për gjashtë muaj e kanë bllokuar Kuvendin dhe e kanë rënduar jetën e qytetarëve, sot po sillen sikur ligji nuk vlen për ta. Në vend që të tërhiqen nga pozitat e uzurpuara, kanë nisur fushatën e viktimizimit, duke shpikur teori për arrestime politike,” shkruan ajo.

Bajrami theksoi se këto veprime janë të qëllimshme dhe se në thelb kanë sfidimin e rendit kushtetues të Kosovës.

Në fund, ajo i bën thirrje organeve të drejtësisë të mos heshtin më, por të veprojnë dhe të garantojnë sundimin e ligjit.

“U bëj thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë të veprojnë. Askush mbi ligjin! Përgjegjësia është e qartë, shkeljet janë të dokumentuara,” përfundon reagimin e saj Bajrami.

Ky denoncim vjen në një kohë të ndjeshme politike në vend, kur Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i bllokuar dhe vendi përballet me mungesë funksionaliteti institucional, ndërsa qytetarët ndiejnë peshën e kaosit politik në jetën e përditshme.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy