Rama: Kemi ndërmarrë hapa ligjorë ndaj ministrave Murati dhe Çeku, na bllokuan projektet në Prishtinë

by engel

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se janë ndërmarrë hapa ligjorë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, për siç tha ai, bllokimin e qëllimshëm të projekteve zhvillimore në kryeqytet dhe pengimin e alokimit të buxhetit për vitin 2025.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Rama akuzoi zyrtarët qendrorë se kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për të ndalur projektet që komuna kishte planifikuar, duke përdorur sipas tij, metoda joligjore dhe dokumente që “nuk ekzistojnë”.

banner

“Po, kemi ndërmarrë hapa ligjorë për ministrin e Financave edhe për ministrin e Kulturës. Jemi në proces dhe do t’ju lajmërojmë edhe për hapat me radhë”, tha Rama.

Ai shtoi se projektet që tashmë ishin miratuar, dizajnuar dhe tenderuar, janë bllokuar në fazën e zbatimit përmes vendimeve të paarsyeshme nga niveli qendror. Sipas tij, kjo situatë ka ndikuar rëndë në funksionimin e komunës dhe në jetën e qytetarëve të Prishtinës.

“Kur ne i përgatitëm projektet për zbatim në terren, ata na bllokuan edhe në mënyra joligjore. Ne nuk jemi ndalur, kemi vazhduar me punë dhe kemi marrë masa ligjore ndaj atyre që po pengojnë qëllimisht zhvillimin e kryeqytetit.”

Buxheti i miratuar në Prishtinë, por i palëvruar nga Qeveria

Kryetari Rama theksoi se ndonëse buxheti i vitit 2025 është miratuar që në dhjetor 2024 nga Kuvendi Komunal, ai ende nuk është alokuar nga niveli qendror.

“Kemi sfida të mëdha për shkak të mosalokimit të buxhetit. Që nga 9 dhjetori 2024 kemi kërkuar alokimin, por pa sukses. Tash po na thuhet se nuk ka pasur alokim për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.”

Ai shtoi se edhe përdorimi i buxhetit të vitit paraprak është i penguar, duke theksuar se Ministria e Financave nuk po e alokon as një të 12-tën mujore të buxhetit të vitit 2024, siç parashihet me ligj.

Kompanitë kontraktuese nisin përmbarime, rriten kostot për Komunën

Rama paralajmëroi pasoja financiare të mëdha për shkak të kësaj situate. Sipas tij, kompanitë e kontraktuara që kanë vazhduar punën pa u paguar, kanë nisur tashmë procedura përmbarimore ndaj Komunës së Prishtinës.

“Kjo situatë po sjell kosto shtesë për komunën, e cila po dëmton vijat buxhetore të planifikuara për projekte kyçe.”

Kreu i kryeqytetit kritikoi ashpër edhe opozitën në Kuvendin Komunal, veçanërisht Lëvizjen Vetëvendosje, duke i akuzuar për bllokim të buxhetit që nga viti i kaluar.

“Këto parti, në mënyrë aktive, e kanë bllokuar buxhetin e kryeqytetit, dhe kjo vazhdon të ketë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.”

Një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj bllokade, sipas Ramës, është ndërprerja e ndihmave për qytetarët në nevojë. Ai tha se Ministria e Financave ka ndërhyrë në linjat buxhetore, duke marrë mjete nga fondet për subvencione sociale.

“Qytetarët që kanë qenë në nevojë për ndihmë, si për shembull ndihma mujore prej 200 eurosh për ushqim, janë lënë pa asgjë për shkak të kësaj qasjeje të Ministrisë – një sjellje e paskrupullt dhe e paprecedent.”

Rama përfundoi se Komuna e Prishtinës nuk do të ndalet, dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të siguruar funksionimin normal të institucioneve lokale dhe realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy