Ashtu si 48 herët e kaluara, edhe seanca e 49-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar. Shkaku mbeti i njëjtë: pamundësia për të formuar Komisionin për Votim të Fshehtë.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ndërpreu punimet menjëherë, duke njoftuar se seanca e radhës do të mbahet të hënën. Kjo do të jetë tentativa e 50-të për ta funksionalizuar Kuvendin pas zgjedhjeve të fundit.
Seanca nuk kaloi pa përplasje verbale. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, akuzoi kryesuesin Dehari për shkelje të Kushtetutës dhe i bëri thirrje që të rikthehet në rendin e ditës. Edhe pse mikrofoni i tij u ndërpre, Behrami vazhdoi të kërkojë respektim të Kushtetutës.
Në të njëjtën linjë, edhe deputetja e LDK-së, Serbeze Kabashi, i kërkoi Lëvizjes Vetëvendosje të veprojë në përputhje me rendin kushtetues. Fjalimi i saj u ndërpre po ashtu nga kryesuesi i seancës.
Ndërkohë, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, zgjodhi një ton ironik. Ajo “uroi” kryeministrin në largim, Albin Kurti, për “kthimin në vendlindje”, duke e përshëndetur në mënyrë sarkastike para mediave dhe qytetarëve.
Me këtë zhvillim, ngërçi institucional në vend vazhdon, ndërsa partitë politike mbeten larg një marrëveshjeje për themelimin e institucioneve të reja.