Netflix ka shënuar një precedent të ri në industrinë televizive, duke përdorur për herë të parë inteligjencën artificiale gjenerative (AI) për krijimin e efekteve vizuale në një nga produksionet e veta origjinale.
Bëhet fjalë për serialin fantastiko-shkencor argjentinas The Eternauts, ku një nga skenat kryesore – shembja e një ndërtese në Buenos Aires – është realizuar krejtësisht me teknologji AI.
Lajmi u konfirmua nga bashkë-drejtuesi ekzekutiv i Netflix, Ted Sarandos, i cili theksoi se kjo qasje ka sjellë përfitime të ndjeshme në uljen e kostove dhe përshpejtimin e procesit të prodhimit.
“Për të realizuar këtë sekuencë me metoda tradicionale do të ishte e papërballueshme për një buxhet si ky. Me AI, e realizuam dhjetë herë më shpejt,” u shpreh Sarandos.
Debat në industrinë e argëtimit
Megjithatë, përdorimi i AI-së në prodhimin filmik nuk ka kaluar pa debat. Kritikët e industrisë theksojnë se AI shpesh krijon përmbajtje të reja duke u mbështetur në punën ekzistuese të artistëve të tjerë, pa lejen apo shpërblimin e tyre, çka ngre shqetësime për të drejtat e autorit dhe etikën në krijimtari.
Gjithashtu, frika se AI mund të zëvendësojë profesionistët njerëzorë, nga dizajnerët grafikë te inxhinierët e efekteve speciale, është bërë edhe më akute pas grevës së vitit 2023 në Hollywood, ku sindikata SAG-AFTRA kërkoi rregulla të qarta mbi përdorimin e kësaj teknologjie.
Netflix shënon rritje rekord të të ardhurave
Komentet e Sarandos u bënë gjatë publikimit të rezultateve financiare të tremujorit të dytë, ku Netflix raportoi rritje prej 16% të të ardhurave, duke kapur vlerën e 11 miliardë dollarëve. Fitimi neto u rrit nga 2.1 në 3.1 miliardë dollarë, me Sezoni 3 i “Squid Game” që solli 122 milionë shikime dhe ndikoi ndjeshëm në këtë sukses.
AI, zgjidhje për produksione me buxhet të kufizuar?
Sarandos vlerësoi më tej se përdorimi i AI-së është një mundësi e re për projekte më të vogla, duke mundësuar cilësi vizuale të lartë pa kosto të mëdha. Ai theksoi se efekti i përdorur në The Eternauts është i pari i këtij lloji në një serial origjinal të Netflix, dhe se krijuesit ishin plotësisht të kënaqur me rezultatin përfundimtar.