“Rasti 53-milionëshi”: Pal Lekaj dhe dy të akuzuar tjerë deklarohen sërish të pafajshëm në rigjykim

by engel

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të mërkurën ka nisur rigjykimi për rastin e njohur si “53-milionëshi”, ku Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, së bashku me Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, tre të akuzuarit hodhën poshtë akuzat menjëherë pas elaborimit të pjesës së përmirësuar të aktakuzës nga prokurori special Atdhe Dema.

banner

“Nuk kam të bëj fare me atë që jam akuzu. Unë e konsideroj veten të pafajshëm plotësisht”, deklaroi Lekaj në sallën e gjyqit.

Të njëjtin qëndrim e mbajtën edhe Shatri dhe Tahiri.

Ndërkohë, i akuzuari Eset Berisha nuk e dha deklarimin e tij për shkak se, sipas tij, nuk e kishte kuptuar përmbajtjen e aktakuzës.

Seanca vazhdoi me fjalët hyrëse të palëve, ku prokurori Dema qëndroi pranë qëndrimit të dhënë në shqyrtimin e kaluar. Të njëjtin veprim e ndoqën edhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve.

Ndryshe, më 31 janar 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin, duke i dënuar me gjithsej 10 vjet e 3 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”, që lidhet me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit ka kthyer rastin në rigjykim për të gjithë të akuzuarit, pas ankesave të paraqitura dhe shqyrtimit të vendimit të Themelores.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Kosovës, katër të akuzuarit dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare me rastin e pagesës shtesë ndaj kompanisë ndërtuese të autostradës, duke e rënduar buxhetin e shtetit për dhjetëra miliona euro.

Gjykimi pritet të vazhdojë në seancat e ardhshme me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy