Një rast shqetësues nga Shtetet e Bashkuara ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve federale dhe publikut: një burrë 55-vjeçar nga Long Island, Michael Gann, është vënë nën akuzë për prodhimin e shtatë bombave artizanale në shtëpinë e tij – duke përdorur si ndihmë inteligjencën artificiale.
Sipas raportimit të NBC, Gann ka deklaruar se krijimi i pajisjeve shpërthyese ishte më i lehtë sesa blerja e barutit, dhe se IA e ndihmoi gjatë gjithë procesit të ndërtimit të tyre.
Prokurorët federalë kanë bërë të ditur se Gann kishte transportuar bombat drejt qytetit të Nju Jorkut dhe kishte ruajtur pesë prej tyre në çatinë e një ndërtese në lagjen luksoze të Soho-s, së bashku me katër gëzhoja pushke. Plani i tij, sipas autoriteteve, ishte të kombinonte armët me pajisje shpërthyese të improvizuara (IED).
Postimet në rrjetet sociale nxitën hetimet
Rasti mori vëmendje më të madhe pasi Gann bëri disa postime shqetësuese në rrjetet sociale. Më 27 mars, ai shkroi një mesazh në profilin zyrtar të Donald Trump në platformën X, ndërsa pesë javë më vonë publikoi në Instagram një postim të çuditshëm: “Kush do që unë të shkoj të luaj sikur nuk ka të nesërme?” – duke ngritur alarmin për autoritetet.
Ai u arrestua më 5 qershor ndërsa ecte në rrugë me një çantë në dorë. Gjatë marrjes në pyetje, pranoi se kishte synuar të krijonte piroteknikë dhe se kishte përdorur inteligjencën artificiale për të mësuar se çfarë kimikatesh të porosiste dhe përzinte.
Dëshmi tronditëse dhe plane të dyshimta
Hetimet zbuluan dëshmi shqetësuese për qëllimet e tij. Një dëshmitar, veteran i ushtrisë, i tha FBI-së se Gann, ndërsa përziente eksplozivët, kishte treguar me gisht nga një shkollë hebraike dhe kishte thënë: “Çfarë lloj veterani je ti? Sheh një problem në lagje dhe nuk bën asgjë.”
Një dëshmitar tjetër, që bashkëpunoi me FBI-në, e regjistroi gjatë një bisede telefonike, ku Gann pranoi se kishte aktivizuar një pajisje pranë lumit East dhe se për pak ishte trembur nga pasojat. Pas kësaj, sipas tij, kishte menduar të hiqte qafe bombat e mbetura.
Hetimet në vazhdim, avokati nuk komenton
Michael Gann nuk është deklaruar ende fajtor. Avokati i tij ka refuzuar të komentojë mbi çështjen. Ndërkohë, hetimet nga FBI dhe prokurorët federalë janë në zhvillim e sipër, ndërsa rasti ngre shqetësime të mëdha mbi abuzimin potencial të teknologjisë së inteligjencës artificiale për qëllime të rrezikshme.