Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vendosur të mos përfshijë drejtorët komunalë në listën për Asamblenë Komunale, duke shkelur udhëzimin e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili kishte rekomanduar që të gjithë drejtorët dhe asamblistët aktualë të jenë pjesë e listës zgjedhore.
Në një postim publik, Lladrovci bëri të ditur se është pajtuar vetëm pjesërisht me udhëzimin e partisë, duke përfshirë në listë vetëm asamblistët aktualë, por jo drejtorët ekzekutivë të komunës.
“Nuk jam pajtuar që drejtorët të jenë pjesë e listës, sepse kjo do t’u jepte atyre epërsi ndaj kandidatëve të tjerë, duke krijuar pabarazi dhe ndikuar në gjithëpërfshirjen e barabartë,” tha Lladrovci.
Sipas tij, në një komunë me 43 lokalitete dhe vetëm 27 ulëse në Asamble, është thelbësore të sigurohet përfaqësim i balancuar dhe gjithëpërfshirës, dhe jo të favorizohen funksionarët aktualë të administratës komunale.
Lladrovci shtoi se propozimi për të përjashtuar drejtorët nga lista zgjedhore është miratuar me shumicë votash në mbledhjen e kryesisë së degës së PDK-së në Drenas. Të gjithë drejtorët janë pajtuar me këtë vendim – përjashtim ka bërë vetëm drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Albulena Saliuku, e cila ka shprehur dëshirën të jetë pjesë e listës për Asamble.
Në takim me Saliukun, Lladrovci bëri të ditur se e ka liruar atë nga detyra e drejtoreshës, duke i dhënë mundësinë që të kandidojë si pjesë e listës për Asamble.
“E falënderova për bashkëpunimin e sinqertë dhe shumë produktiv gjatë kohës që ishte në funksion. Ajo do të vazhdojë kontributin si kandidate për Asamble,” thuhet në postimin e tij.
Ky vendim shënon një qasje të qartë kundërshtuese ndaj linjës qendrore të partisë, duke ngritur pyetje mbi kohezionin dhe disiplinën brenda strukturave të PDK-së. Mbetet për t’u parë nëse kryetari Memli Krasniqi do të reagojë ndaj kësaj moszbatimi të udhëzimeve të dhëna nga qendra, apo nëse ky veprim do të tolerohet si vendimmarrje autonome e degëve komunale.