Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se ka përfunduar me sukses trajnimi i organizuar nga ekipi britanik BMATT (British Military Advisory Training Team), i cili u zhvillua në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në formatin rezident.
Qëllimi i trajnimit ishte përgatitja dhe certifikimi i instruktorëve ushtarakë të FSK-së, në përputhje me standardet moderne të edukimit dhe trajnimit ushtarak, si pjesë e përpjekjeve për ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë:
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves,
Komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj,
si dhe oficerë dhe nënoficerë nga njësite të ndryshme të FSK-së.
Në njoftimin zyrtar të FSK-së thuhet se ky bashkëpunim me ekipin britanik BMATT është dëshmi e qartë e përkushtimit të FSK-së për profesionalizëm, ngritje të kapaciteteve dhe zbatim të praktikave të avancuara në edukimin ushtarak.
Po ashtu, FSK thekson se ky është një shembull i shkëlqyer i partneritetit të qëndrueshëm me Mbretërinë e Bashkuar, një nga partnerët kryesorë të Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.