Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka shkëlqyer në arenën ndërkombëtare duke fituar medaljen e argjendtë në Lojërat Universitare Botërore “Rhine-Ruhr 2025” të organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Sporteve Universitare (FISU).
Ky është një tjetër sukses i madh për sportisten nga Kosova, e cila edhe një herë tregoi përkushtim, talent dhe karakter të fortë në një garë me konkurrencë të lartë ndërkombëtare.
Rrugëtimi i Laurës drejt finales:
Në xhiron e parë, Laura ishte e lirë.
Në xhiron e dytë, ajo mposhti xhudisten ukrainase Sofiia Bordinskykh.
Në çerekfinale, ajo doli fituese ndaj gjermanes Viktoria Folgen.
Në gjysmëfinale, Laura triumfoi ndaj italianes Flavia Favorini, duke siguruar kështu finalen e madhe.
Fatkeqësisht, në ndeshjen finale përballë xhudistes japoneze Narumi Tanioka, Fazliu pësoi një lëndim, gjë që e pengoi ta përfundonte garën me medalje të artë, por ajo u stolis me medaljen e argjendtë, duke nderuar vendin me një tjetër rezultat të jashtëzakonshëm.
Në një njoftim zyrtar, Federata e Xhudos së Kosovës ka përgëzuar Laurën për paraqitjen e saj mbresëlënëse dhe suksesin e arritur:
“Faleminderit për emocionet që na dhurove dhe që na bëre krenarë!”
Me këtë arritje, Laura Fazliu konfirmon edhe një herë pozitën e saj si një nga sportistet më të suksesshme të Kosovës, duke forcuar reputacionin e jashtëzakonshëm të xhudos kosovare në arenën ndërkombëtare. Medalja e argjendtë në Lojërat Universitare Botërore është jo vetëm një nder personal për Laurën, por edhe një fitore për sportin dhe shtetin e Kosovës.