Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar lidhur me deklaratat e familjes Muleci për vdekjen e të ndjerit A.M., duke theksuar se pas hetimeve intensive nuk është gjetur asnjë provë që mjeku i Spitalit Rajonal të Pejës, B.V., të ketë ushtruar trajtim të papërgjegjshëm mjekësor.
Rasti, i hapur më 26 qershor 2024 për veprën penale “Trajtimi i papërgjegjshëm mjekësor”, u hetua në mënyrë të plotë, përfshirë zhvarrosjen e trupit, autopsinë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, marrjen e deklaratave nga dëshmitarë dhe ekspertë, si dhe kryerjen e autorizimeve të nevojshme.
Prokuroria njofton se provat ekzistuese nuk kanë krijuar nivelin e dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale, prandaj rasti është mbyllur.
Gjatë hetimeve, Prokuroria ka vepruar me transparencë dhe ka ftuar familjen Muleci të marrë pjesë në procedura. Megjithatë, më 23 korrik, në emisionin “KIKS Kosova” në televizionin Klan Kosova, familjarët akuzuan Prokurorinë për mbylljen e rastit me qëllime personale, akuza këto që Prokuroria i konsideron të pabaza.
Prokuroria Themelore në Pejë riafirmon angazhimin e saj për trajtimin profesional, të pavarur dhe objektiv të çdo rasti penal dhe i ka udhëzuar familjen që të ushtrojë të drejtën e ankesës në Prokurorinë e Apelit.

