Edhe përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, duke zgjatur më tej krizën institucionale që po zvarritet që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Deputetët pritet të mblidhen sërish sonte, në orën 22:00, në përpjekjen e 54-të dhe në ditën e fundit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Seanca e radhës mbahet pak orë para hyrjes në fuqi të masës së përkohshme të Kushtetueses, e cila ndalon çdo veprim për konstituimin e Kuvendit nga data 27 korrik deri më 8 gusht 2025.
Si në shumë seanca të mëparshme, edhe kësaj radhe kryesuesi Avni Dehari ndërpreu fjalën e disa deputetëve gjatë diskutimeve, përfshirë Abelard Tahirin nga PDK, Jehona Lushaku-Sadriun nga LDK dhe Time Kadrijajn nga AAK.
Pavarësisht kohës së kufizuar dhe tensioneve politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare nuk kanë arritur të gjejnë një kompromis për zhbllokimin e procesit. Ngërçi vazhdon, ndërsa qytetarët presin me pasiguri nëse seanca e mbrëmjes do të sjellë ndonjë kthesë të papritur.