SPAK ka zbuluar detaje tronditëse nga një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti të strukturuar kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me një vlerë tregu prej 411 milionë euro, si dhe janë vendosur masa sigurie për 7 persona, nga të cilët 6 janë arrestuar dhe 1 është shpallur në kërkim.
16 të dyshuar, logjistikë e sofistikuar dhe bashkëpunim ndërkombëtar
Hetimi ka përfshirë 16 persona të dyshuar, të përfshirë në episodet e trafikimit ndër vite, që nga Spanja e deri në Britani. Rrjeti vepronte përmes kontejnerëve nga Kolumbia dhe Ekuadori, duke përdorur porto si Rotterdam, Anvers dhe Algeciras, ndërsa droga fshihej në ngarkesa me banane, dru apo kakao.
SPAK ka bashkëpunuar ngushtësisht me EUROPOL, EUROJUST, si dhe autoritetet e Francës, Italisë, Spanjës, Belgjikës, Holandës, Britanisë dhe Kroacisë.
Gjatë kontrolleve, u sekuestruan:
43,470 euro, 5,000 franga zvicerane
3 automjete, përfshirë një Mercedes AMG G63
1 skaf luksoz “Hull Works Sarock 40”
3 armë zjarri, orë luksi Rolex dhe Richard Mille
16 celularë, 19 karta bankare dhe dokumente financiare nga Emiratet, Gjermania, Italia dhe Panama
Dronë, pajisje të ruajtjes së të dhënave dhe radio komunikimi
Dokumente identifikimi dhe pronësie të falsifikuara në disa shtete
Episodet kryesore të sekuestrimeve (2020–2021):
Holandë: 2,000 kg në qershor 2020, 1,484 kg në tetor 2020
Belgjikë: 989 kg në prill 2020
Spanjë: 400 kg në shkurt 2020
Franca – Britania e Madhe: 250 kg në prill 2020
Itali (Rimini & Bari): rreth 675 kg hashash
Spanjë (Algeciras): 1,442 kg hashash
Grupi vepronte me një strukturë të qartë hierarkike:
Drejtuesit dhe financuesit, të vendosur kryesisht në BE, Britani dhe Dubai
Koordinatorët logjistikë, që përdornin kompani transporti dhe shoferë të huaj
Shpërndarësit lokalë, që operonin në vendet e destinacionit
Pika kontakti në Amerikën Latine, përgjegjëse për sigurimin dhe nisjen e drogës
Ata komunikonin përmes aplikacioneve të enkriptuara si SKY/ECC, duke përdorur pseudonime dhe kode PIN për të shmangur përgjimin. Pagesat realizoheshin nëpërmjet sistemit informal “Hawala”, duke shmangur sistemin bankar zyrtar.
SPAK: Dëshmi e kapaciteteve shqiptare për goditjen e krimit ndërkombëtar
Sipas prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi, ky hetim është një ndër më të rëndësishmit në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe dëshmon kapacitetin e strukturave shqiptare për të hetuar grupe të nivelit të lartë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.