Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj mënyrës se si po udhëhiqet Kuvendi i Kosovës nga shumica parlamentare dhe kryesuesi Avni Dehari, duke akuzuar Vetëvendosjen për qasje arbitrare dhe shkelje të rënda kushtetuese.
Përmes një postimi në Facebook, Lushaku ka ngritur alarmin për gjendjen në të cilën ndodhet demokracia parlamentare në vend, duke thënë se fjalës së deputetëve po i vihet fre në mënyrë të padrejtë dhe të paprecedentë.
“Kosova 2025. Fjala në Kuvend ndalet arbitrarisht. Për të 53-tën herë, Kushtetuta u shkel; Ligji u dhunua dhe kapja e korrupsioni qeveritar në veprim,” shkroi Lushaku, duke akuzuar pushtetin aktual për thellimin e autoritarizmit dhe mungesë të respektit ndaj normave demokratike.
Deputetja e Lidhjes Demokratike shtoi se është koha që Kosova t’u kthehet atyre që e duan si shtëpinë e tyre të vetme, duke bërë thirrje për një qeverisje më të përgjegjshme dhe të ndjeshme ndaj interesave të qytetarëve.