OVL e UÇK-së e gatshme për riverifikimin e listës së veteranëve – në pritje të komisionit nga Qeveria

by engel

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në procesin e riverifikimit të listave të veteranëve të luftës, ndërkohë që janë në pritje të themelimit të komisionit të ri nga Qeveria e Kosovës.

Xhavit Jashari, përfaqësues i OVL-së, tha se verifikimi më i saktë dhe më legjitim mund të bëhet nga komandantët e zonave në bashkëpunim me zinxhirin komandues, pasi vetëm ata kanë njohuri të drejtpërdrejtë për pjesëmarrësit në luftë.

banner

“Ne do t’i ushtrojmë të gjitha të drejtat tona dhe do t’u përgjigjemi çdo herë institucioneve tona. Drejtësia duhet të argumentojë ku janë bërë shkeljet nga komisioni qendror. As Agim Çeku nuk ka pasur mundësi të njohë çdo ushtar në gjithë territorin ku është zhvilluar lufta. Komandantët e zonave me zinxhirin komandues janë të vetmit që mund ta bëjnë këtë verifikim”, deklaroi Jashari.

Ky proces po vjen pas vendimit të fundit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila në rigjykim shpalli fajtorë dhe dënoi me nga një vit burgim dhjetë persona të përfshirë në rastin “Veteranët”.

Shkumbin Krasniqi, emri i të cilit figuron në listën e veteranëve, e ka mirëpritur verifikimin, duke thënë se listat janë abuzuar për qëllime politike.

“Sipas meje, më shumë se 25 mijë janë veteranë të pavërtetë. Realisht, numri i veteranëve të vërtetë nuk i kalon 17 mijë. Këto shifra janë fryrë politikisht për qëllime elektorale”, tha ai.

Ndërkohë, aktivisti Frashër Oseku ka reaguar për dënimin e dhënë ndaj ish-komandantëve që u përfshinë në hartimin e listave, duke theksuar se heshtja përballë këtij vendimi është formë bashkëfajësie. “Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, edhe për ata me grada”, u shpreh ai.

RTK ka kontaktuar Qeverinë për të pyetur nëse kanë nisur procedurat për krijimin e komisionit të ri të verifikimit, por deri më tani nuk ka marrë një përgjigje zyrtare.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy