Qeveria britanike ka hedhur poshtë kritikat se po e shpërblen grupin militant Hamas me planin për të njohur shtetin palestinez, nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa për të përmirësuar situatën në Rripin e Gazës dhe për të avancuar drejt paqes.
Kryeministri Keir Starmer ka vendosur një afat deri në shtator që Izraeli të ndërmarrë veprime konkrete, në të kundërt Britania mund të ecë përpara me njohjen e shtetësisë palestineze. Ky qëndrim ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga homologu i tij izraelit, i cili e cilësoi këtë si shpërblim për Hamasin dhe ndëshkim për viktimat e sulmit të 7 tetorit 2023.
Edhe ish-presidenti amerikan Donald Trump reagoi duke deklaruar se Hamas nuk duhet të shpërblehet me njohjen e pavarësisë palestineze.
Por ndaj këtyre kritikave është përgjigjur ministrja britanike e Transportit, Heidi Alexander, e cila në një sërë intervistash për mediat tha se ky interpretim është i gabuar.
“Ky nuk është shpërblim për Hamasin. Hamas është një organizatë terroriste e neveritshme, që ka kryer mizori të tmerrshme. Kjo ka të bëjë me popullin palestinez, me fëmijët që po vdesin nga uria në Gaza,” tha Alexander për radion LBC.
Ajo shtoi se është e domosdoshme që Britania të rrisë presionin ndaj qeverisë izraelite për të hequr kufizimet dhe për të lejuar ndihmat humanitare të hyjnë në Gaza.