Policia e Kosovës ka arrestuar Hazir Hoxhën, nën dyshimin se ka ngacmuar dhe shqetësuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve telefonike.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se ndaj Hoxhës është iniciuar hetim për veprën penale “Ngacmim”, ndërsa i dyshuari është vendosur në mbajtje për 48 orë.
“Më 29.07.2025, ankuesja ka denoncuar në polici se është ngacmuar dhe shqetësuar nga një person përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve telefonike. Njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme, duke identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas hetimeve fillestare, rasti lidhet me një përplasje publike mes Hoxhës dhe Pacollit që kishte ndodhur ditë më parë, ku Hoxha e kishte quajtur deputeten “hajne” dhe kishte pohuar se ajo “e ka hajninë me dokumente”.
Policia thekson se veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.